Milani e mban Gatuzon, por a e arrin dot Championsin?

Më e keqja ndoshta edhe mund të ndodhë. Milani mund të përfundojë ashtu siç nuk do të donin ta besonin tifozët, jashtë Ligës së Kampionëve. Shpresat e mëdha për të qenë në garën kryesore të klubeve në Europë, për herë të parë që nga viti 2014, duket se u shuan thuajse përfundimisht me humbjen e pësuar në Torino.

Në një duel direkt, skuadra vendase triumfoi 2-0, duke e mbërritur Milanin në renditje. Andrea Beloti shënoi me penallti në minutën e 58-të dhe Aleks Berenger vulosi shifrat 11 minuta më vonë. Mbrëmja e milanistëve mori goditjen e fundit kur kapiteni Alesio Romanjoli u përjashtua me karton të kuq në minutën e 81-të.

Të dyja skuadrat morën vlerësimet e merituara nga mediat. “La Gazeta delo Sport” bën lojë fjalësh në titull: Dem i Artë, duke nënkuptuar Torinon, por edhe golshënuesin Beloti! Milani vritet me brirë, Europa në rrezik! “Tutosport” vendos foton e Belotit në kopertinë: Toro për Champions, 2-0 ndaj Milanit! Atje lart dikush ju do!

Championsi është ende shumë pranë, por skuadra e trajnerit Gatuzo është në krizë të plotë, me vetëm 5 pikë të fituara në 7 ndeshjet e fundit në Serinë A. “Ne bëmë maksimumin, por gjendja është e tillë, – u shpreh trajneri, – kështu ndodh ndonjëherë në futboll. Jemi në vështirësi, por nuk mund të kritikojë lojtarët, që po punojnë shumë, por po ndjejnë presionin. E ardhmja ime varet nga rezultatet, por unë nuk shqetësohem për këtë. Shqetësohem për faktin se po shkatërrojmë imazhin e një klubi kaq të madh sa Milani”.

Trajneri ishte në rrezik për t’u shkarkuar, në përpjekje për të shpëtuar sezonin, por kjo nuk ndodhi. Drejtuesit e klubit, pas një mbledhjeje urgjente, vendosën të vazhdonin me Gatuzon. Kështu lajmërojnë mediat italiane, ndonëse ato theksojnë se trajneri do të largohet në fund të sezonit, edhe nëse kualifikohet për në Champions.

Sfidanti.al