Mesi nuk mendon për rekordet: Jam këtu për të fituar Kupën e Amerikës!

Ndoshta me kombëtaren i ka lënë të gjitha në moshë të shtyrë. Lionel Mesi është në formën e jetës me Argjentinën, siç e tregoi në fitoren 3-0 ndaj Ekuadorit në ndeshjen e çerekfinaleve të Kupës së Amerikës, dhe duket se më në fund mund të fitojë trofe të mëdhenj me këtë fanelë. Yllit më të madh të futbollit në botë i mungon kjo kupë, ashtu siç nuk ka fituar dot as Kupën e Botës, por ndoshta këta dy vjet do t’ia dalë. Me një gol e dy asiste, ai ishte vendimtar në kualifikimin e Argjentinës në gjysmëfinale.

Mbeten edhe dy ndeshje deri në realizimin e objektivit, ndonëse në rrugë me shumë gjasë do të ketë përballë Brazilin, ndërsa vitin tjetër luhet Botërori në Katar. Mesi është lojtari më i mirë i Kupës së Amerikës deri tani, duke qenë shënuesi më i mirë me 4 gola, dhe krijuesi më i mirë i rrjetave me 4 asiste, të gjitha këto në 5 ndeshje. Po ashtu, ai është vetëm një gol larg Pelesë, si shënuesi më i mirë i kombëtareve të Amerikës së Jugut, pasi ka 76 ndaj 77 të “Mbretit”.

“Rekordet individuale janë të rëndësisë së dytë, – tha kapiteni argjentinas, ndërsa u shpall sërish lojtari më i mirë i ndeshjes, – ne jemi këtu për tjetër gjë. Shpresojmë që të hedhim edhe një hap dhe të arrijmë në finalen që duam. Kolumbia është ekip shumë i fortë dhe me përvojë. Duhet të jemi gati”.

Numri 10 u bë lojtari me më shumë kontribute goli në ndeshjet me eleminim direkt në turnetë e mëdhenj. Ai ka 20 kontribute të tilla në Kupën e Botës dhe Kupën e Amerikës, me 5 gola e 15 asiste, duke lënë pas legjendën braziliane, Fenomenin Ronaldo, që ka 17. Duhet theksuar se legjenda Pele ka qenë i pafavorizuar sepse në kohën e tij Kupa e Amerikës nuk ka pasur ndeshje të tilla.

Sfidanti.al