“Kur Lionel Mesi të bëhet 32 vjeç, bota e futbollit do të qajë”. Këto ishin fjalët e njërit prej “armiqve-miq” të tij, Zhoze Murinjos, kur sapo ishte larguar nga Reali për tek Çelsi. Do të duhet të kalojnë ende dy vjet deri në atë ditë, por pikërisht sot, legjenda më e madhe aktive e futbollit mbush 30 vjeç. Një përvjetor i madh në kulmin e formës, diçka që e tregon fusha dhe statistikat, jo trofetë e sezonit të fundit që i fitoi Reali dhe Kristiano Ronaldo.
Me gati 520 gola të shënuar në karrierë për klubet dhe gati 60 për Argjentinën, me 5 Topa të Artë, 4 Këpucë të Arta të Europës, 8 tituj kampion në Spanjë, 5 Kupa të Mbretit, 6 Superkupa të Spanjës, 4 Champions, 3 Superkupa të Europës, 3 Kupa të Botës për klubet, me titullin botëror U20 dhe medaljen e artë olimpike, ai është një nga fituesit më të mëdhenj në histori.
Ai ka dalë 5 herë Lojtari më i mirë i ligës spanjolle, dhe pritet të dalë për herë të gjashtë për sezonin e kaluar (Ronaldo ka vetëm 1), po ashtu ka dalë 4 herë Këpuca e Artë në Spanjë, ndaj 3 të Ronaldos, ndërsa ka rekordin e golave në kampionatin spanjoll, me 349 në 382 ndeshje (0.91 gola për ndeshje). Ronaldo ka mesatare më të mirë (1.08) me 285 gola në 265 ndeshje, por kjo vetëm për faktin se ka ardhur në La Liga në moshën 24-vjeçare, ndërsa Mesi luan aty që kur ishte 16-17 vjeç.
Me driblimet e tij të jashtëzakonshme, me shpejtësinë e rrallë, me vizionin e lojës që nuk e ka askush që nga koha e Maradonës, me aftësinë komanduese në lojë, ai nuk ka të krahasuar ditët e sotme. Vetëm Maradona apo Pele mund të mburren se kanë qenë si Leo Mesi apo ndoshta më të mirë sesa ai. Ndikimi i tij tek Barcelona është më i madh se kurrë, sidomos pasi Ksavi u largua dhe Iniesta nuk është më ai i dikurshmi. Mesi merr topin në mesin e fushës, organizon aksionet dhe gjithmonë, ose shënon vetë, ose jep asist për shokët.
Për tifozët e futbollit ai mbetet kënaqësia më e madhe, dhe rivaliteti i tij me Kristiano Ronaldon është një fat i madh, që i nxit dy yjet e shkëlqyer që të japin çdo ditë maksimumin.
I mbetet të fitojë Kupën e Botës dhe Kupën e Amerikës me Argjentinën, diçka që do shumë fat, sidomos e para, ndërsa Leos nuk i qëlloi fati që të kishte një trajner të madh apo një Federatë të organizuar, siç pati Diego Armando Maradona në 1986 me Karlos Bilardon, dhe Mario Kempesi në 1978 me Çezar Menotin. Ndoshta, do t’ia dalë t’i fitojë edhe këto.
Sfidanti.al