Arsenali mendon zëvendësuesin e Mbapesë, do të vijë nga Franca

Kilian Mbape mesa duket dëshiron vetëm Realin e Madridit. Arsen Venger, i qartë tashmë për synimet e objektivit të tij kryesor, vendos të bëjë si “dhelpra me rrushtë”, pra duke thënë se pëlqen diçka tjetër më shumë sesa “rrushi Mbape”. Vëmendja e trajnerit të Arsenalit është zhvendosur tek një sulmues tjetër, ndoshta jo me famën aktuale të Mbapesë, por gjithsesi shumë të mirë, dhe që luan në të njëjtin kampionat me të, në Ligën e Parë të Francës.

Ky është Aleksandr Lakazetë, sulmuesi kryesor i Lionit, dhe golshënuesi i dytë më i mirë i kampionatit sezonin e kaluar. Shënues i 28 golave në Ligue 1 (Kavani fitoi Këpucën e Artë me 35), dhe i 37 golave gjithsej në sezon në 45 ndeshje, ai pritej të shkonte tek Atletiko e Madridit, por klubi spanjoll u dënua nga FIFA. Bisedimet me Arsenalit dhe Lionit u zhvilluan javën e shkuar, por ende po diskutohet çmimi i kartonit të 26-vjeçarit. Arsenali ofroi vjet 35 milionë paund stërlina (afërsisht 40 milionë euro), por besohet se do të duhet të shpenzojë më shumë për një sulmues “rrace”. Presidenti i Lionit, Zhan-Mishel Olas nuk do të kënaqet me pak.

Sfidanti.al