Mesi dhe Mbape? PSG u shpëtua në Bryzh nga portieri Navas

Xhixho Donaruma mund të jetë gardiani më i mirë i Euro 2020-ës, por kur vjen puna tek Paris SG, italiani do të duhet të djersijë shumë për të fituar konkurrencën me Kejlor Navasin. Portieri nga Kosta Rika tregoi sërish se përse u mor dikur dhe luajti disa vjet për Realin e Madridit, ndërsa ishte më i miri në fushë për PSG-në në ndeshjen fatkeqe në stadiumin e Klub Bryzhit në Champioms. Belgët merituan të fitonin, dhe parizienët e trajnerit Poçetino nuk u shpëtuan aspak nga Lionel Mesi apo Kilian Mbape. Ishte Navas “galaktiku” i mbrëmjes që ndaloi humbjen, dhe bëri që ndeshja të përfundonte 1-1. Mesi nuk ishte aspak në nivelin e tij magjik dhe pse goditi shtyllën, Kilian Mbape nuk pati frymëzim ndonëse shërbeu asistin e golit të Ander Herrerës, ndërsa Nejmar vuajti shumë. Bryzhi ishte shumë më agresiv, i fortë fizikisht dhe me tifozët me vete duke nxjerrë në pah gjithë dobësinë e lojës në mbrojtje të PSG-së. Me treshen Mesi-Nejmar-Mbape, është vërtet vështirë të bësh presing dhe të ndalosh ofensivën kundërshtare. Mbape edhe u dëmtua dhe doli nga loja pas pushimit.

Sfidanti.al