Mejuedhër harron Mekgregorin, dëshiron një klub të NBA-së!

Flojd Mejuedhër vazhdon jetën e tij prej pensionisti të boksit, dhe prej njeriu që ka plane biznesi. Ish-kampioni i katërfishtë i peshave të mesme ka shprehur dëshirën për të blerë një skuadër të NBA-së, duke lënë mënjanë për një moment diskutimet për ndeshjen e mundshme mes tij dhe Konor Mekgregorit. Së fundi, u postua një foto e veteranit me ish-yllin e Lejkërsave, Mexhik Xhonson, që është presidenti i operacioneve të basketbollit pikërisht tek “Liqenasit”.

“Kënaqësi e madhe që u takova me Mexhik Xhonsonin, – shkroi Flojd në Instagram, – ka ardhur koha që unë të blej një klub të NBA-së. Nëse je gati ta shesësh, të lutem më kontakto”. Nuk do të jetë e lehtë, gjithsesi, pasi NBA ka vetëm 30 skuadra, dhe të gjitha ato zotërohen nga njerëz shumë të pasur si ish-shefi ekzekutiv i Majkrosofit (Microsoft), Majk Ballmer, miliarderi rus Mihail Prohorov apo familja Krënke, pa harruar Majkëll Xhordanin.

Mejuedhër i ka ndjekur shumë ndeshjet e NBA-së, sidomos në Los Anxhelos, por edhe në Boston apo në Arena të tjera, ndërsa postoi një foto në avion me disa tufa me dollarë, të cilët, siç tha vetë, i fitoi pasi vuri bast që Boston Sëlltiks do të kualifikohej në plej of.

Sfidanti.al