Me Klopin, Liverpuli po ndërton një epokë “Fergusonase” në “Anfild”!

Ishte viti 1993 kur më në fund Mançester Junajtidi theu mallkimin e historisë dhe fitoi titullin e parë kampion pas 24 vjetësh. Që nga koha e Bobi Çarltonit, duhej të vinte një trajner me emrin Aleks Ferguson, dhe një yll në fushë si Erik Kantona, që “djajtë e kuq” të tregoheshin më të fortë sesa fati. Atë vit, të paktën në dukje, Sër Aleksi hodhi bazat e një epoke që zgjati 20 vjet, dhe që solli 13 tituj kampion e dy Champions, pa llogaritur shumë kupa të tjera.

Në “Anfild” sot, janë në prag të nisjes së një epoke të tillë, të një periudhe dominimi të futbollit anglez, që mund ta quajmë “Fergusonase”. Emërimi në stol i Jurgen Klopit në 2015 po sjell frytet e veta, dhe Liverpuli është shumë pranë fitimit të titullit të parë kampion në 30 vjet. Jo vetëm kaq, por në prag të duelit të madh ndaj Mançester Junajtidit, theksohet se të kuqtë e Klopit mund të kalojnë klubin e “Old Trafordit” edhe në pikën e tij më të fortë, në financa.

Me gjasë, që këtë vit, Liverpuli mund të dalë mbi Junajtidin në të ardhurat vjetore, për t’i dhënë fund kështu një epoke 27-vjeçare, gjatë së cilës merrej si fakt i kryer që klubi me të ardhurat më të mëdha në Angli do të ishte Mançester Junajtidi. Sezonin e kaluar klubi i “Old Trafordit” pati të ardhura vjetore prej 627 milionë paundësh, ndërsa Liverpuli 533. Gjithsesi, këtë vit Junajtid nuk është në Champions dhe të ardhurat mund të bien në 560-580 milionë paundë, e Liverpuli mund ta kalojë nëse arrin finalen e Championsit.

Sfidanti.al