Lojtarë të caktuar cilësohen gjithmonë si “mina me sahat”. Fatkeqësia është kur këta lojtarë janë të atij niveli që mund të quhen të domosdoshëm për skuadrën. Një i tillë është Diego Kosta që këtë sezon ka sjellë “mot me diell” për Çelsin, por që tani duket se “e ka mbushur qiellin me re”. Sulmuesi braziliano-spanjoll ka deklaruar se është i dëmtuar, veçse pretendimet e tij nuk i kanë bindur mjekët e skuadrës. Momenti-kyç ishte qendrimi i Antonio Kontes dhe trajneri i doli në krah stafit të tij.
Kaq mjaftoi që Diego Kosta dhe Konte të kishin një përplasje, si rrjedhojë e së cilës sulmuesi u la jashtë skuadrës që do të luajë këtë fundjavë ndaj Leiçesterit kampion në Premier Ligë. Momenti për blutë dhe për trajnerin e tyre është vërtet shumë i vështirë, pasi Kosta ka shënuar 14 gola e ka dhënë 5 asistë në 19 ndeshje në kampionatin anglez, duke qenë më i miri. Nuk do të jetë e lehtë për Konten që të vazhdojë të jetë kaq i suksesshëm pa sulmuesin kryesor, veçse në çaste të tilla, çdo trajner duhet të mbajë një qendrim.
Klubi londinez nuk e komentoi ngjarjen, por mediat britanike shkruajnë se agjentët e Kostës janë në Kinë mesa duket për të diskutuar ofertat e mundshme për sulmuesin nga Superliga e vendit të madh. Sulmuesi njihet për karakterin e tij të ashpër, ndonjëherë në pakontrollueshëm, dhe disa herë është pezulluar për sjelljet e tij.