Me çfarë parash do ta marrë Barcelona Mesin në 2023?!

Presidenti i La Ligës, Tebas, deklaroi në gusht se gjendja financiare e klubit katalanas ishte e tillë, që mund të mos mund të justifikojë borderonë e madhe të rrogave për edicionin e ardhshëm. Kjo, sepse do të shuhet efekti i shitjes së një pjese të biznesit për kompani të tjera, ndërsa në librat e pagave do të mbeteshin Levandovski, Pedri, Rafinja, De Jong, Buskets, Ter Shtegen, Dembele dhe të tjerët. Në këtë parashikim krize, del në skenë një lajm sipas së cilit Lionel Mesi do të kthehet në “Spotifaj Kamp Nou” në 2023, kur kontrata e tij 2-vjeçare me Paris SG do të përfundojë.

Thuhet se argjentinasit i ka ardhur në majë të hundës me Kilian Mbapenë, dhe se ka dëshirë të bashkohet me ekipin e trajnerit Ksavi Hernandez. Thuhet edhe se Mesi ka bërë paqe me presidentin Zhoan Laporta, por gjithsesi duhet bërë pyetja: Si do ta përballojë Barcelona rrogën e tij? Pyetja mbetet edhe nëse parashikon se prania e Mesit do të rrisë ndjeshëm të ardhurat. Nga ana tjetër, PSG është gati t’i ofrojë zgjatje kontrate, por me pagë më të ulët sesa kjo që merr tani.

Sfidanti.al