Mrekullitë i nisi që përpara ndeshjes. Kilian Mbape shënoi atë që u quajt më i bukuri gol i realizuar ndonjëherë në seancat stërvitore në futboll, një goditje direkt në ajër me thembër. Spektaklin e vazhdoi në ndeshjen zyrtare eleminatore ndaj Kazakistanit në Paris, ku Franca triumfoi 8-0 dhe u kualifikua për në finalet e Botërorit. Mbape shënoi 4 gola duke qenë më i miri lojtar në fushë për kampionët e botës në fuqi, dhe për fituesit e freskët të Ligës së Kombeve në Milano ndaj Spanjës. Sulmuesi 22-vjeçar u bë i pari lojtar i “gjelave” që arrin të shënojë 4 gola në një ndeshje që nga legjenda Zhyst Fonten që e bëri 28 qershor 1958, pra më shumë se 63 vjet më parë.
Gjithsesi, Mbape duhet t’i heqë kapelen Fontenit që 4 golat ia shënoi Gjermanisë në finalet e Kupës së Botës në Suedi, ndërsa ai Kazakistanit në “Stadë dë Frans”. “Jam i lumtur për suksesin personal të Kilianit, – tha trajneri Didie Deshamp, – ishte një mbrëmje shumë e bukur për të. Ai po arrin pak nga pak një nivel thuajse të përsosur dhe ka nisur të bëjë diferencën në fushën e lojës. Jam i lumtur për fitoren, ishte një ndeshje thuajse perfekte, ndërsa ne kemi edhe sulmues të tjerë klasi si Benzema dhe Grizman”.
Pikërisht Karim Benzema shënoi 2 gola të tjerë, duke qenë i shkëlqyer që pas kthimit në kombëtare, ndërsa Antuan Grizman shtoi një gol tjetër. Franca ka 15 pikë në 7 ndeshje në grupin eleminator D të Botërorit, ndaj 11 të Finlandës, kur ka mbetur edhe vetëm nga një ndeshje për të t’u luajtur.
Sfidanti.al