Ata që janë futbollistë do të thonë se një lojtar të tillë do ta duan gjithmonë në skuadrën e tyre. Nuk mund të ketë më besnik sesa një shok ekipi që për hir të shokut të përplaset me vetë ultrasit e tij. Këtë e bëri Mario Hermoso i Atletikos së Madridit në fund të ndeshjes së humbur ndaj Vijarrealit në La Ligë, ndërsa disa tifozë ofenduan sulmuesin Antuan Grizman. Hermoso, që ishte rezervë në këtë ndeshje, ia kaloi edhe reagimit të Granit Xhakës i cili thjesht iu përgjigj me gjeste tifozëve të Arsenalit që e sulmuan verbalisht në një ndeshje. Futbollisti spanjoll kërceu tek tribuna ku ishin ultrasit, gati të përleshej me ta, ndërsa u godit me një breshëri me shishe plastike. Pavarësisht se ai u tregua trim i madh, nuk dihet nëse drejtuesit e klubit do ta mbajnë sepse ata nuk duan konfrontim me tifozët e tyre.
Sfidanti.al