Kur u bë votimi për Lojtarin e vitit në FIFA, personalitete të njohur si Lionel Mesi, Eden Hazar, Dani Alvesh, Robert Levandovski dhe Joakim Lëv vendosën në vend të parë të njëjtin emër, Sadio Manenë. Sulmuesi afrikan ishte “motori” dhe “shpirti” i Liverpulit që fitoi 5-2 derbin ndaj Evertonit në “Anfild”, dhe vazhdoi marshimin drejt titullit të parë kampion në 30 vjet.
Mane shënoi vetëm një gol, por ishte lojtari më i mirë në fushë, duke shërbyer asistë, e duke qenë i papërmbajtshëm për kundërshtarët. Mungesat e Mohamed Salahut dhe Roberto Firminos nuk u ndjenë, kryesisht për meritë të tij, por edhe për kontributin e Divok Origit dhe Xherdan Shaqirit. Në fund, pati festë edhe për holandezin Georgino Vajnaldum. Skuadra e Jurgen Klopit fitoi 5-2, me gol të Divok Origit, pastaj të Xherdan Shaqirit, Divok Origit, Sadio Manesë dhe Vajnaldumit. Majkëll Kin bëri 1-2 për Evertonin, që nuk e përballoi dot sfidën dhe trajneri Marko Silva është në prag të shkarkimit.
Liverpuli ka 43 pikë në 15 ndeshje të Premier Ligës, me 37 gola të shënuar, vetëm 6 më pak se Mançester Siti. Të kuqtë kanë vetëm një humbje që nga fillimi i sezonit të kaluar, kanë 32 ndeshje pa humbje, një rekord i klubit. Jurgen Klop arriti 100 fitoret në Premier pas 159 ndeshjeve, duke qenë trajneri i dytë më i shpejtë. i pari është Zhoze Murinjo të cilit iu deshën 142. “Të gjithë golat ishin të pabesueshëm, të shkëlqyer, – tha trajneri gjerman, – një futboll i madh, e dashurova çdo moment. Na duheshin këmbë të freskëta dhe jam i lumtur që mund të mbështetem tek të gjithë djemtë”. Liverpulit i munguan Alison i pezulluar, Fabinjo i dëmtuar, ndërsa Salah e Firmino u lanë pushim.
Sfidanti.al