Murinjo kthehet në realitet, Junajtidi e mund në “Old Traford”

Në këtë stadium ka provuar disa mbrëmje magjike në karrierën e tij. Mbahen mend sukseset e Zhoze Murinjos në “Old Traford”, në stolin e Portos, Realit madhe edhe Mançester Junajtidit, por mbrëmja e 4 dhjetorit 2019 nuk ishte e lumtur. Skuadra vendase, dikur e drejtuar prej tij, luftoi fort për trajnerin e saj Solskjer që ishte në prag të shkarkimit, duke marrë një fitore të merituar 2-1.

Markus Rashford, njeriu i kritikuar nga Murinjo si “jo një 9-të e vërtetë”, luajti si sulmues “për kokë” duke shënuar të dy golat, si dhe duke goditur shtyllën. Ishte 21-vjeçari anglez që shënoi golin e parë që në minutën e 6-të. Nuk u dekurajua as kur Dele Ali barazoi bukur, por kundër rrjedhës së lojës. Me të nisur pjesa e dytë, Rashford fitoi një 11-metërsh, i penguar nga Musa Sisoko, dhe e kthey vetë në gol, edhe pse e vonuan shumë derisa gjuajti.

Mançester Junajtidi i Solskjerit ishte shumë më i mirë sesa më parë, dhe mund të kishte shënuar fare lehtë më shumë gola se kaq. Nuk dihet nëse do ta vazhdojë këtë nivel edhe në ndeshjet e tjera, sidomos pasi ndeshja e radhës është në fushën e Mançester Sitit. Murinjo kuptoi, ndërkaq, se do të ketë shumë punë për të bërë me Totenhemin, pavarësisht fillimit me 3 fitore radhazi. “Gjelat” e Londrës janë tani 8 pikë larg zonës Champions. Kohë ka, por nuk dihet nëse potenciali do të mjaftojë për të kapur Çelsin apo Uolvesin.

Sfidanti.al