Juventusi lavdëron kujtimin e Pogbasë, mos vallë Reali duhet të ketë kujdes?

Fabio Paratiçi nuk ka detyrë të stërvisë yjet e Juventusit, por të merret me gjëra të tjera. Drejtori sportiv drejton operacionet e shitblerjeve, dhe çdo fjalë që del nga goja e tij interpretohet si një interesim i kampionëve të Italisë. Ai përmendi Pol Pogbanë, ndërsa u pyet për Matijs De Ligtin. “Pogba e pati më të lehtë për t’u përshtatur tek Juvja, – tha Paratiçi, – sepse erdhi në moshën 19-vjeçare, dhe e fitoi vendin në fushë dalë nga dalë. Ai pati në krah shokë me personalitet dhe përvojë si Pirlo, Markizio apo Vidal. De Ligti është ndryshe, pasi ai erdhi për të luajtur menjëherë”.

Drejtuesi juventin e quajti holandezin “një bishë të vërtetë”, me gjithë kuptimin e kësaj fjale, dhe shtoi se “ai është investimi më i mirë që mund të bësh për moshat e reja”. Paratiçi theksoi se nuk ka asnjë dyshim tek mbrojtësi i qendrës, madje qesh me ata që dyshojnë. Gjithsesi, lavdërimet për Pogbanë, në këtë moment, duket sikur tregojnë një interesim për torinezëve për kampionin e botës. Ndoshta, Reali i Madridit duhet të ketë kujdes.

Sfidanti.al