A është valvul shkarkimi apo një patologji e vjetër, pa të cilën nuk jeton dot klubi ? Tirana bardheblu, sipas zakonit të hershëm , edhe në këtë sezon jubilar për moshën e klubit, demaskon pa emër “magjinë e zezë” që e pengon për të dalë kampion. Edhe në ditët e tërmetit, ku instikti njerëzor më shumë shkon drejt bashkimit sesa të kundërtës, zërat dëgjohen pastër. Sidomos fjalët e veteranit Osmani, të cilat na kumbojnë të dëgjuara, veçse kanë një rezonancë kohore:
“Keni vite që po e shkatërroni këtë klub dhe arritët deri aty aq sa e rrëzuat nga Superiorja. Si ju gazetarë që po bëni menaxherin që çdo lojtar që ka ardhur në klub i keni marrë 1 apo 2 rroga. Si ju ish-trajnerë që jeni hajdutë me çizme që keni marrë nga klubi edhe pianot dhe i keni çuar në shtëpi. Por mos u mërzisni se do të vijë dita që do t’jua them të gjitha në sy”, shkruante Osmani.
Për çka nuk flitet brënda pak reshtave. Për hajdutë me çizme, për hajdutë pa çizme, shyqyr që nuk flitet për hajdutë me papuçe, për gazetarë që trukohen si menaxherë dhe për ish-trajnerë “pianistë” që paskan shkruar muzikën funebre të klubit. Dhe kur Tirana e ka me veten e vet, pra me “armikun e brëndshëm”, edhe pse duket si pastrim gjaku , sikur harron..(gati me dashje) armikun e jashtëm, atë që lodron me fatin e klubeve, që me gjuhën klasike të bardhebluve mund të quhej “hajduti zyrtar”. Siç duket, nuk është rasti, që në vitin jubilar, atëherë kur Tirana i bie tam-tames për titullin kampion, duhet të “zbulosh” hajdutin vetëm nga brënda, atë që i bie pianos tërë këto vite, duke e lënë pushim atë tjetrin, i cili që ia vjedh “veglat” sa herë që ekipi bëhet gati për ..shfaqje!
Sfidanti.al