Man. Siti ende nuk mundet të jetë dominues në Champions

Nuk dihet se çfarë ndodh me këtë skuadër, por shpesh nuk arrin të shpërthejë ashtu siç besohet dhe mendohet. Me gjithë potencialin e jashtëzakonshëm, sërish Mançester Siti nuk arriti dot më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Lajpcigut në ndeshjen e parë të turit të dytë të Championsit. Edhe pse anglezët e Pep Guardiolës ishin në avantazh në pjesën e parë me golin e shënuar nga Rijad Mahrez, ata nuk mundën të mbanin rezultatin. Natyrisht, ndikuan dëmtimet e De Brujnes, Laportes dhe Stounsit, por Siti kishte futbollistë të tjerë, me në krye Bernardo Silvën dhe Erling Halandin. Lajpcigu luajti më mirë pas pushimit duke merituar barazimin falë golit të mbrojtësit kroat, Joshko Gvardiol. Natyrisht, kampionët e Anglisë janë favoritë për kualifikimin në çerekfinale, por sidoqoftë ndihet një lloj zhgënjimi.

Sfidanti.al