Luiza Gega “shpluhuros” një rekord të harruar, është një yll në Paris

Ishte gara e parë e vitit, dhe nuk dihej si do të shkonte. Rezultati për Luiza Gegën ishte gjithsesi pozitiv. Atletja shqiptare doli e treta dhe vendosi një rekord të ri kombëtar në distancën e 3000 metrave në salla të mbyllura. Në mitingun ndërkombëtar zhvilluar në Paris, Gega luftoi fort me afrikanet, sidomos me atletet nga Etiopia, dhe në fund dha kohën 8’52”53.

Sipas trajnerit të saj, Taulant Stërmasi, ky është një rekord i ri kombëtar, madje me diferencë 37-sekondëshe me ish-rekordin e vendosur 20 vjet më parë nga atletja korçare, Anila Kasati. Gara u fitua nga një zbulim i atletikës, 17-vjeçarja Fantu Uorku. Gega do të vrapojë në 14 shkurt në Ostravë të Çekisë në garën 1 500 metrave, ndërsa përgatitet për dy aktivitete të rëndësishme që do të zhvillohen tani shpejt.

Fillimisht, për kampionatin ballkanik të sallave të mbyllura në 25 shkurt në Beograd, dhe pastaj në kampionatin europian po në salla të mbyllura, në 3 mars, gjithashtu në kryeqytetin e Serbisë. Vitin e kaluar ajo doli nënkampione e Europës pikërisht në 3 000 metra me pengesa.

Sfidanti.aL