Luiza Gega, kampione olimpike e Europës; medalja e artë “me postë” në Tiranë!

Tashmë është gjithçka e konfirmuar. Luiza Gega është kampione e Lojrave Olimpike Europiane, dhe kjo për shkak të fitores në garën e 3 000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian Ekipor në Poloni. Pasi triumfoi në konkurrimin e saj në Ligën e Tretë, ku garoi për shkak të nivelit ku ndodhet Shqipëria, Gegës iu desh të priste përfundimin e 3 000 metrave me pengesa në Ligën e Dytë dhe të Parë. Konkurrimi u mbyll pikërisht këtë të diel pasdite, me polaken Konieçek që fitoi në Ligën e Parë, por me një rezultat shumë më të dobët sesa kampionia shqiptare.

Gega ia doli me 9’17”31, kohë së cilës nuk iu afrua asnjë rivalë, në asnjë prej niveleve. Medalja e artë do të mbërrijë në Tiranë në 29 qershor, besohet në Komitetin Olimpik Kombëtar e më pas do të organizohet një ceremoni për dorëzimin e saj. Ky është titulli i parë olimpik europian për Gegën, dhe po ashtu për Shqipërinë, duke qenë një sukses i madh për atletikën kuqezi. Vitin e kaluar, ajo u shpall kampion e Europës në kampionatin individual, gjithnjë në 3 000 metra me pengesa, ndërsa fitoi edhe medaljen e artë në Lojrat Mesdhetare si dhe vendin e katërt në Kampionatin Botëror.

Sfidanti.al