Nuk luftoi për medalje, por për kohën më të mirë. Të tilla janë garat e Ligës së Diamantit në Europë, dhe atletja më e mirë shqiptare, Luiza Gega, nuk zhgënjeu. Ajo konkurroi në mitingun ndërkombëtar të nivelit më të lartë të mundshëm në Firence të Italisë, duke qenë më pak se 2 sekonda larg rekordit kombëtar në disiplinën e saj të preferuar, 3 000 metra me pengesa. Në një konkurrencë të jashtëzakonshme, me atletet më të mira të botës, Gega dha kohën 9’11”94. Rekordi kombëtar është 9’10”04, dhe u vendos në finalen e Kampionatit Botëror të zhvilluar vitin e kaluar në SHBA, ku 33-vjeçarja zuri vendin e pestë.
Këtë herë, Gega doli vetëm e 10-ta, veçse rëndësi për të kishte koha. Fituese në pistën e Firences ishte atletja 19-vjeçare nga Etiopia Sembro Almeju me 9’00”71, e ndjekur nga dy atlete keniane, Kepkoeç dhe Uondemagen. Kjo ishte koha më e mirë e botës këtë vit në 3 000 metra me pengesa. Gega, që doli kampione e Europës vjet në Mynih, do të synojë ta thyejë rekordin kombëtar në garat e tjera të Ligës së Diamantit, ndonëse përgatitjet këtë vit kanë qenë të pazakonshme për shkak të ndryshimit të temperaturave dhe reshjeve të shpeshta të shiut. Një kohë e tillë që në garën e parë ndërkombëtare të nivelit të lartë premton se atletja jonë më e mirë do t’ia dalë.
Sfidanti.al