Ajo që ndodhi vjet nuk përsëritet lehtë, por ambiciet mbeten të mëdha. Luiza Gega, pasi u shpall verën e kaluar kampione e Europës në garën e saj të preferuar në 3 000 metra me pengesa në Mynih të Gjermanisë, dhe pasi doli e pesta në botë e kampione e Mesdheut, u përsërit. Ylli i atletikës shqiptare shkëlqeu në garën e 5 000 metrave në Kampionatin Europian Ekipor që po zhvillohet në Silezi të Polonisë. Epërsia e 33-vjeçares ishte e madhe dhe ajo e mbylli garën me kohën 15 minuta, 32 sekonda e 39 të qindat. Rivalet u lanë shumë prapa, ndërsa pas fitores, Gega tregoi se nuk ishte aq e thjeshtë sa u duk.
“Nuk ishte e lehtë sepse ajo që doli e dyta është e treta në botë, dhe luftonte për të fituar, – tha ajo më pas, – gjithsesi, unë e dija se nëse mbaja ritmin e lartë do të fitoja, pasi jam më e shpejtë. Nuk doja të lodhesha më shumë sesa duhet pasi duhet të ruaj forcat për garën time të preferuar të 3 000 metrave me pengesa, ku shpresoj të jap rezultat të mirë”. Vitin e kaluar, Gega realizoi paraqitjen më të mirë të një atleteje shqiptare në histori duke marrë disa medalje ari, nga Ballkani në Europë, duke arritur rezultatin më të mirë në Botëror e duke vendosur rekordin e ri kombëtar ne 3 000 metra me pengesa, me kohën 9’10”04.
Sfidanti.al