Se cili ka qenë në fushën e lojës, këtë e dinë të gjithë. Graem Sunes ka qenë një legjendë e madhe e Liverpulit dhe e Skocisë, një nga yjet e vërtetë të futbollit britanik, duke fituar radhazi Championsin e Premier Ligën, ndërsa shpirti i kampionit tek ai nuk është shuar as në moshën 70-vjeçare. Ish-sulmuesi kaloi me not Ngushticën e La Manshit, apo siç e quajnë britanikët, Kanalin Anglez, në misionin për të grumbulluar sa më shumë të ardhura për bamirësi. Veterani i sportit u stëvit për një kohë të gjatë për të përshkruar 34 kilometrat në pikën më të ngushtë të Kanalit, në Dover, dhe ia doli pas afërsisht 12 orëve. Ai përballoi rrymat e dallgët si dhe temperaturën e ulët të ujit, ndonëse i është nënshtruar një operacioni të trefishtë në zemër.
Sunes vendosi të realizonte notimin në La Mansh pasi takoi një vajzë 14-vjeçare të quajtur Ajsla Grist, që vuan nga një sëmundje e rrallë lëkure, me emrin Epidermolisis Buloza. “Kjo është sëmundja më e keqe që unë kam parë në jetën time, – tha ai, – Ne duhet të gjejmë një mënyrë për ta shëruar atë. Duhet të gjejmë një rrugë për ta bërë jetën më të lehtë për fëmijët, që vuajnë çdo ditë. Kjo është sëmundja më e keqe që unë kam parë në jetën time. E di se ka njerëz që mendojnë ndryshe, por për mua është më e keqja, dhe prandaj unë dua të ndihmoj që ta luftojmë. Unë punova shumë për 9 muaj dhe ia dola sot, ndaj jam shumë i lumtur. Tani është e vështirë të kthehem pas me këtë baticë”. Në fund, Sunes e tejkaloi cakun e përcaktuar më parë prej 1.1 milionë paundësh stërlina.
Sfidanti.al