Nuk dihet nëse do të ketë sukses, por emocionet i sjell të forta. Luis Enrike, një nga trajnerët më spektakolarë të futbollit botëror, është ulur zyrtarisht në stolin e Paris SG. Kampionia e Francës prezantoi teknikun nga Asturia e Spanjës, që më parë ka drejtuar Barcelonën si dhe kombëtaren e “Furive të Kuqe”. Pas largimit të trajnerit Kristian Galtie, dhe pas ikjes së Lionel Mesit, një epokë e re nis për skuadrën e sheikëve, me qendër në kryeqytetin e Francës. Luis Enrike ishte i shkëlqyer në stolin e Barcelonës, kur në sezonin 2014-2015 riktheu kohën e Pep Guardiolës, duke fituar tre trofetë e mëdhenj, Championsin, La Ligën dhe Kupën e Mbretit. Një skuadër e stilit “tiki taka”, që kishte në fushë treshen e madhe Mesi-Ksavi-Iniesta. Shumë vite më vonë, në 2019, Luis Enrike mori drejtimin e kombëtares së Spanjës, me rezultate të skajeve të kundërta.
Ai u eliminua pa fat në gjysmëfinalen e Europianit 2020, dhe arriti deri në finalen e Ligës së Kombeve në 2021 humbur ndaj Francës në “San Siro”, ndërsa në gjysmëfinale kishte eliminuar Italinë. Dështim i vërtetë ishte eliminimi me penallti nga Maroku në Kupën e Botës në Katar, që solli edhe shkarkimin. Gjithsesi, Paris SG beson se me Luis Enriken do të arrijë atë që nuk po mundet, që të fitojë Championsin, ndërsa këtë sezon u eliminua nga Bajerni. Sidoqoftë, me largimin e Lionel Mesit dhe me të ardhmen e Kilian Mbapesë e Nejmarit të paqartë, nuk dihet nëse PSG do t’ia dalë mbanë, apo sërish do të kënaqet me titullin e Ligën e Parë të Francës.
Sfidanti.al