Luis Enrike: Nga 47 milionë spanjollë, vetëm unë jam trajner i kombëtares!

Këtë shprehje e përdor për të bindur djemtë e tij, sidomos të madhin, në debatet që padyshim i kanë në familje. Luis Enrike e thotë gjysmë me shaka, por gjithsesi është një fakt që mesa duket e bën krenar. “Nga 47 milionë njerëzit në Spanjë ka vetëm një trajner të kombëtares, – thotë ai, – dhe ky jam unë. Diçka të mirë duhet ta kem bërë që më kanë zgjedhur”. Si trajner i Spanjës ende nuk ka mundur ta tregojë veten në një turne të madh sepse Euro 2020 u shty me një vit, por fitorja 6-0 ndaj Gjermanisë ishte një lloj “karte identiteti” mjaft domethënëse.

“Duam të kthehemi tek titujt, – thotë ai, – kemi disa vjet që nuk ia dalim. Duhet të jemi të zotët dhe të guxishëm, do ta provojmë. Ekuilibri tek ne është padyshim mjaft i mirë, kemi 35 lojtarë në grup dhe nuk varemi nga asnjë lojtar. Kjo nuk është dobësi, por vlerë”. Spanja fitoi Euro 2008 e 2012 si dhe Kupën e Botës 2010 me trajnerët Luis Aragones dhe Visente Del Boske, ndërsa Luis Enrike fitoi Championsin me Barcelonën në 2015 si dhe titujt në La Liga.

Sfidanti.al