Eduart Rroca mbyll vitin me gol në Turqi, sezonin e ardhshëm do Superligën!

Me skuadrën e tanishme vështirë ta arrijë elitën, por mund t’ia dalë gjithsesi. Eduart Rroca është një sukes i vërtetë shqiptar në futbollin turk, siç e tregoi edhe këtë fundjavë. Mesfushori 27-vjeçar shënoi golin e parë në fitoren 2-0 që Istanbulspori arriti në fushën e Bolusporit, duke vazhduar sezonin vërtet në nivel të lartë.

Ish-lojtari i Kukësit ka ndihmuar Istanbulsporin me 5 gola e 5 asistë këtë edicion në kategorinë e parë, ndërsa ka 6 rrjeta gjithsej në të gjithë konkurrimet. Ai ka qenë titullar në 11 nga 12 ndeshje gjithsej, duke munguar vetëm një herë, ndërsa ka luajtur thuajse gjithnjë deri në fund, duke humbur vetëm 21 minuta.

Me këtë nivel, është krejt normale që Rroca të mendojë për të luajtur në elitën e futbollit turk sezonin e ardhshëm. Istanbulsporti është në pretendime, por edhe nëse dështon shqiptari mund të gjejë një skuadër vitin tjetër në Superligë. Po ashtu, futbollisti i lindur në Librazhd nuk e fsheh dëshirën për të marrë një ftesë nga kombëtarja. Reja mund të bindet nga paraqitjet e tij, por ndoshta mund të presë që Rroca të mbërrijë në Superligën turke.

Sfidanti.al