Nëse doni futbollin modern e keni përsëri tek Spanja. Përsëri me “tiki taka”, veçse të “markës” Luis Enrike dhe jo Pep Guardiola, dhe aspak me bosht të Barcelonës. Kombëtarja që zhgënjeu në Botëror pas skandalit me Hulen Lopetegin, po mrekullon dhe po frikëson botën me trajnerin asturian që në 2015 fitoi treshen e trofeve me Barçën. Prova më e fundit, fitorja 4-1 në fushën e Uellsit, edhe pse ishte thjesht një miqësore.
Dërrmimit 6-0 të Kroacisë dhe suksesit 2-1 në “Uembli” ndaj Anglisë, iu shtua edhe triumfi në Kardif, me gola të shënuar nga heroi i ri, Pako Alkaser, nga tashmë i zakonshmi Sergio Ramos dhe nga katalanasi i larguar nga “Kamp Nou”, Mark Bartra. Dy prej shënuesve, dhe 3 nga 4 gola, ishin nga lojtarë që Barcelona i pati dhe nuk deshi t’i mbante.
Luis Enrike ka krijuar një Spanjë “laramane” në kuptimin që nuk ka dominim të një Barçe apo Reali, por ndërkaq ka formuar një ekip të bashkuar. De Gea në portë, pastaj Azpilikueta, Sergio Ramos, Albiol, Gaja, Rodri, Sebajos, Saul, Suso, Alkaser, Morata, ndërsa në lojë hynë portieri Kepa, Xhoni, Bartra, Koke, Rodrigo dhe Aspas. Mungoi Zhordi Alba, pjesë e padyshimtë e ekipit. Ndoshta, do të shohim një Spanjë që të fitojë sërish trofe të mëdhenj.
Sfidanti.al