“Luftë civile” në Australi, Gjokoviç rrezikon sërish Melburnin për shkak të vaksinës!

Është jo vetëm më i miri, por edhe kampioni në fuqi. Gjithsesi, Novak Gjokoviç rrezikon të mos marrë pjesë në Australian Open, në Grand Slemin e parë të vitit. Turneu spektakolar në Melburn mund ta humbasë legjendën nga Serbia për shkak se ai nuk ka pranua ta bëjë vaksinën kundër koronavirusit, dhe nuk dihet nëse do ta bëjë deri në janar të vitit të ardhshëm, kur të nisë Grand Slemi. Fillimisht, kryeministri i Australisë, Skot Morrison, i lejoi edhe tenistët e pavaksinuar që të marrin pjesë në turneu, por me kushtin që të kalojnë një karantinë 2-javore, diçka që jepte shpresë se Gjokoviç do të ishte për të mbrojtur titullin. Gjithsesi, reagimi i autoriteteve të shtetit të Viktorias, ku bën pjesë edhe qyteti i Melburnit, ishte i menjëhershëm.

Kryeministri i shtetit viktorian, Daniel Endrjus, doli kundër qendrimit të kreut të qeverisë australiane, duke deklaruar se autoritetet do të ndalonin tenistët e pavaksinuar që të hynin në Melburn. “Nuk mund t’u kërkoj tifozëve që të vaksinohen me detyrim për të qenë në tribunë, kur tenistët nuk do ta bëjnë”, – tha Endrjus. Vetë Gjokoviçi nuk e ka sqaruar plotësisht nëse e ka bërë apo jo vaksinën, duke u shprehur se kjo është një çështje private për të cilën ai nuk dëshiron të komentojë. Numri 1 i botës ka fituar 20 Grand Sleme në karrierë, një rekord që e ndan me Rozher Federerin dhe Rafael Nadalin, si dhe ka rekordin e fitoreve në Australian Open me 9 tituj.

Sfidanti.al