Milani nuk bind ndaj Toros, proteston Pioli: Kemi 9 fitore në 10 ndeshje!

Të paktën në shtëpi janë një garanci. Kuqezinjtë e Milanit kanë 5 fitore radhazi në “San Siro” në Serinë A, dhe për më tepër kanë një lojtar që nuk i lë në baltë në fushën e tyre. Torino u mund 1-0 në javën e 10-të të Serisë A me golin e të zakonshmit Olivie Zhiru, ndërsa skuadra e trajnerit Stefano Pioli u shkëput 3 pikë nga Napoli, me 28 ndaj 25 pikëve. Gjithsesi, tifozët e patën të pamundur të mos shqetësoheshin, sidomos pas pushimit, kur Milani u vu me shpatulla pas murit dhe barazimi do të kishte qenë krejt logjik. Meritë e Torinos apo dobësi e vendasve?

“E dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë, – pranoi Pioli, – dhe ashtu ndodhi. Torino na sulmoi shumë në pjesën e dytë, dhe jo më kot lojtari ynë më i mirë, që bëri më shumë prekje topi ishte portieri Tatarushanu. Gjithsesi, në 10 ndeshjet e fundit kemi fituar 9 e kemi barazuar një në Torino. Mund të ndodhë edhe që të vuash”.

Me dëmtime e me mjaft të rinj në përbërje, Milani po tregon limitet, siç i ka ndodhur sidomos në Champions. Jo më kot, administratori i deleguar, Ivan Gazidhis, thotë se nuk mund të paguajë ato rrogë që jepen në Angli, apo tek Paris SG e Reali, ndërsa mediat pohojnë se bilanci është ende negativ, edhe pse humbjet janë përgjysmuar. Gazetat theksojnë shkëputjen e kuqezinjve dhe provën e Torinos.

“Milani u rrëshqet rivalëve, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – fitorja e 9-të, mundet një Torino e bukur në “San Siro”! Provë arratisjeje!

“Shkëputja e Zhirusë, – është komenti i “Il Korriere delo Sportit”, – Milani shkëputet në +3 ndaj Napolit! Tani prova Roma, pastaj derbi!”

Milani ka 28 pikë në 10 ndeshje, ndërsa Napoli ka 25 pikë me një ndeshje më pak.

Sfidanti.al