Liverpuli mund Kardifin, shpreson tek derbi i Mançesterit

Po mblidhet gjithnjë e më shumë “laku” në garën për titull në Premier Ligë. Liverpuli iu përgjigj fitores së djeshme të Mançester Sitit ndaj Totenhemit, duke marrë tri pikët në fushën e Kardifit. Në një përballje shumë të vështirë, siç edhe pritej ndaj një ekipi që rrezikon të bjerë nga kategoria, të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop e bënë detyrën duke fituar 2-0.

Epërsia në pjesën e parë dhe rastet e humbura, u shndërruan në gola pas pushimit. Georginio Vajnaldum në 56’ dhe Xhejms Milner me penallti në 81’ ishin ata që shënuan, por gjithashtu meritë të madhe pati portieri Alison që bëri pritje të rëndësishme. Edhe fati luajti rol në fitoren e “redsave” që kanë tani 88 pikë ndaj 86 të Sitit, por me ekipin e Guardiolës që vazhdon të ketë një ndeshje më pak.

Klop shpreson që ekipi i tij t’i fitojë të tria sfidat e mbetura, pra të mbledhë 9 pikë të plota, dhe që Siti të ndalet të paktën në një barazim, në derbin e Mançesterit, që do të luhet fundjavën e ardhshme në stadiumin “Old Traford” të Junajtidit. Nëse kjo ndodh, dhe Liverpuli i merr gjithë pikët e veta, ekipi i Klopit shpallet kampion.

Sfidanti.al