Një pakënaqësi disi e veçantë vjen nga korridoret e stadiumit “Old Traford”. Mediat angleze njoftojnë se tre yjet spanjollë të Mançester Junajtidit, De Gea, Herrera dhe Mata, ndihen të ofenduar se po trajtohen ndryshe nga lojtarët anglezë në bisedimet për kontratat e reja. Nuk dihet nëse kjo është e vërtetë, por gjithsesi spanjollët qenkan të mërzitur dhe ky është problem për këtë vit, dhe për tjetrin. Harmonia e prishur dëmton shanset e skuadrës në Premier Ligë, ndërsa një largim i mundshëm i tyre do të dobësonte Junajtidin në pretendimet për edicionin tjetër.
Ljuk Shou, Fil Xhons, Kris Smolling dhe Eshli Jang i kanë firmosur rinovimet, por kjo nuk po ndodh me spanjollët. Natyrisht, rasti i De Geas mund të jetë i veçantë pasi portieri pëlqehet nga klube të tjerë dhe mund të ketë pretendime për t’u larguar. Ekziston mundësia që të largohen të tre. Trajneri Solskjer, ndërkaq, po ndjen vështirësi dhe kjo nisi menjëherë pas firmosjes së kontratës. Në 5 ndeshjet e fundit ka pësuar 3 humbje, ndërsa harmonia në skuadër duket se po dëmtohet edhe nga faktorë të tjerë. Lojtarë si Pol Pogba, Markus Rashford apo Romelu Lukaku nuk po paraqiten në nivelin e mëparshëm.
Sfidanti.al