Moshën e ka ende për të synuar gjëra të mëdha, por janë disa humbje që lenë shenjë. Kështu mund të thuhet për Rafael Nadalin kur pëson disfata në fushat me dhe të ngjeshur, sipërfaqja e tij e preferuar. Tenisti spanjoll u mposht 0-2 në gjysmëfinalen e turneut Masters të Montekarlos nga një kundërshtar që nuk ta merrte mendja, italiani Fabio Fonjini, të cilin e kishte mundur thuajse gjithnjë.
Fonjini ia doli relativisht lehtë, 6-4, 6-2, diçka që ngre dyshime për formën e Nadalit në prag të Grand Slemit “Rolan Garos” në Paris. Spanjolli 32-vjeçar ishte kampion në fuqi në Montekarlo, dhe mbetet rekordmen i dyfishtë, si i vetmi që e ka fituar titullin 11 herë, si dhe 8 herë radhazi. Nadali ka qenë kaq dominues në këtë lloj sipërfaqeje, saqë mendohej si i pathyeshëm, dhe kjo është arsyeja që humbja e tij në gjysmëfinale cilësohet si një lajm i madh dhe tronditës.
Sfidanti.al