Mesi është gjeniu, por s’ka tjetër si Kristiano Ronaldo

Eleminimi në Champions nga Ajaksi padyshim që do të harrohet. Nuk ndodhi për herë të parë që Juvja të dilte jashtë nga kompeticioni i madh, por titulli i Serisë A do të mbahet mend. i paharrueshëm, ky titull do të jetë sidomos për Kristiano Ronaldon, pasi e bëri lojtarin e vetëm në histori që arrin të shpallet kampion në Premier Ligën angleze, La Ligën spanjolle dhe Serinë A italiane. Ky ishte trofeu i 27-të i portugezit me klubet, përveç kampionatit europian që fitoi me kombëtaren në 2016.

Natyrisht, Lionel Mesi mbetet gjeniu i futbollit, siç theksoi edhe Fabio Kapelo, duke pasur edhe më shumë trofe (32, që këtë sezon mund të bëhen 35), veçse të gjitha sukseset e argjentinasit janë arritur me fanelën e Barcelonës, ndryshe nga Ronaldo që ka provuar Portugalinë, Anglinë, Spanjën dhe Italinë.

Në festën e titullit, ndërkaq, lojtarët juventinë mbajtën banderolën ku shkruhej numri 37 mbi emblemën e klubit, si një sfidë për dokumentet zyrtare që i njohin “vetëm” 35 tituj, pasi dy iu hoqën nga skandali i “Kalçopolit” i viteve 2004-2006.

Sfidanti.al