Liga e Kampionëve: Totenhem-Milan, dueli i dy “humbësve” që duan çerekfinalet!

Momenti është vërtet negativ. Nuk mund të vinte në kohë më të keqe dueli vendimtar në Ligën e Kampionëve për Totenhemin, që ka pësuar dy disfata radhazi. E fundit në kampionat ishte në fushën e Uolvesit dhe konfirmoi krizën e “gjelave” të cilët po ashtu janë në pozitë delikate edhe në Champions. Ndeshja e parë e raundit të dytë ndaj Milanit në “San Siro” u humb 0-1 dhe sonte është mbrëmja për të synuar përmbysjen. Spërsat kanë të paktën 5 mungesa të sigurta, pasi Sesenjo, Joris, Bisuma e Betankur janë të dëmtuar si dhe Dajer i pezulluar. Sidoqoftë, sulmuesi kryesor Harri Kejn do të udhëheqë shokët në stadiumin e “Totenhemit”. Trajneri Antonio Konte nuk mund të bëjë llogari, por vetëm të mendojë sesi ekipi i tij të mund të kualifikohet.

Edhe Milani nuk është edhe aq mirë pas humbjes së pësuar në Serinë A në fushën e Fiorentinës. Gjithsesi, kuqezinjtë janë stërvitur me qetësi pas fitores ndaj anglezëve në Lombardi, për më tepër me lajmet që të gjithë lojtarët janë gati. Portieri Menja e ka marrë veten dhe Leao e Kruniç kthehen në ekip pas pezullimit në kampionat. Trajneri Stefano Pioli duket në humor. Gjithçka duket e hapur në Londër, me Milanin që ka avantazhin minimal dhe përvojën si ekip 7 herë kampion i Europës, ndërsa Totenhemit i duhet forma më e mirë për t’ia dalë.

Sfidanti.al