Nuk ishte e nevojshme të bëhej ndonjë sforcim i madh, pasi ndeshja e parë ishte fituar 3-0, madje në Londër. Gjithsesi, trajneri i Bajernit, Hansi Flik, si një bavarez i vërtetë, nuk rrezikoi asgjë, dhe hodhi në fushë ndaj Çelsit lojtarët më të mirë të mundshëm me përjashtim të të dëmtuarve Pavar e Koman. Suksesi në “Alianc Arenën” pa tifozë ishte 4-1 me dy gola e dy asiste të Robert Levandovskit, si dhe nga një gol të Perishiçit e Tolisosë. Kjo ishte fitorja e 8-të e Bajernit në 8 ndeshje këtë vit, më mirë sesa 7 fitoret radhazi të Realit në 2014-2015. Në total, gjermanët kanë shënuar 31 gola në vetëm 7 ndeshje Championsi (kanë pësuar vetëm 6), me mesatare 4.5 për ndeshje, dhe Levandovski ka 13 gola, vetëm 4 më pak sesa rekordi sezonal i Championsit i mbajtur nga Kristiano Ronaldo. Bajerni do të ketë përballë Barcelonën, por epoka duket si ajo e 1973-it apo 2013-ës.
Sfidanti.al