Nuk mund të dyshohet te kampionët. Ky ishte mesazhi që dha Mançester Siti që në startin e sezonit në Angli, me një fitore të merituar në fushën e një ekipi që mund të quhej rival, Arsenalit. Një legjendë si Arsen Venger vërtet është larguar, por me skuadrën mike erdhi një tjetër trajner legjendar, Pep Guardiola. Katalanasi mbërriti si kampion dhe u largua po si i tillë, pasi Siti triumfoi 2-0 duke dominua lojën në pjesën më të madhe të saj.
Rahim Stërling dhe Bernardo Silva ishin autorët e golave, në një takim që u duk si vazhdim i sezonit të kaluar, edhe pse Arsenali ka tani një tjetër emër në stol, Unai Emerin. Spanjolli nuk ia kishte dalë ndaj Guardiolës në 10 përballjet e para në La Liga dhe në Europë, dhe nuk pati asnjë mundësi t’ia dilte as këtë herë, veçse do të ishte e pandershme ta akuzoje për humbjen.
Emeri ka pak kohë që punon me londinezët, dhe do t’i duhen më shumë javë për të krijuar ekipin që mendon. Po ashtu, vendasit patën lojtarë të dëmtuar si mbrojtësit Naço Monreal e Kolashinac, ndaj formacioni i Guardiolës e pati edhe më të lehtë.
Ashtu siç pritej, Siti e mbajti më shumë topin, 58 për qind dhe pati dyfishin e gjuajtjeve në portë. Po ashtu, goditjet nga këndi ishin 9-2 për miqtë, të cilët kishin më shumë përvojë dhe më tepër pjekuri taktike, edhe pse lojtarë të rëndësishëm si De Brujn apo Sane e nisën nga stoli. Mançester Siti padyshim është favorit për titullin edhe në këtë edicion të Premier Ligës.
Sfidanti.al