Legjenda e Nadalit vazhdon, por kampioni akuzon Rolan Garosin!

Rekordmeni i titujve në Paris ende nuk ishte gati për ta dorëzuar kurorën, dhe ia doli sërish me tre sete, por pati edhe një qortim të ashpër. Rafael Nadal fitoi 7-6, 6-4 e 6-1 ndaj italianit Janik Siner në çerekfinalet e Rolan Garosit, veçse ndeshja vazhdoi deri në orën 1 e gjysmë pas mesnate, duke shkaktuar zemërimin e kampionit. “Duhet parë kalendari i ndeshjeve, – tha ai, – nuk mund të luash në këtë orë, në këto kushte klimaterike. Ishte ftohtë dhe topi nuk goditej siç duhet”.

Siner është 19 vjeç dhe është i pari tenist që arrin në çerekfinale të Rolan Garosit në këtë moshë, që kur këtë e bëri vetë Nadali. “Ai është një talent i ri dhe shumë i zoti”, – ishte lavdërimi i spanjollit. Nadali do të ndeshet në gjysmëfinale me argjentinasin Diego Shvarcman, që mundi austriakun Dominik Tim 3-2 me sete pas 5 orësh lojë. Tim është kampioni në fuqi i US Openit. Nadali është kampion i Rolan Garosit dhe synon ta fitojë për herë të 13-të, për të barazuar rekordin e Grand Slemeve që mbahet nga Rozher Federer me 20. Ai ka bilancin 24-0 kur është në gjysmëfinale, ndërsa në Rolan Garos ka humbur vetëm 2 ndeshje në 100 të luajtura në 19 vjet.

Sfdanti.al