Lebroni nuk njeh moshë, çfarë paraqitjeje ndaj Hjustonit!

Është 35 vjeç, veçse ambicia dhe profesionalizmi janë gjithnjë të njëjtat, ndoshta më të forta e kurrë. Lebron Xhejms dha një tjetër provë të asaj që mund të bëjë, dhe që e dallon nga pjesa tjetër e yjeve të NBA-së, duke udhëhequr Lejkërsat në fitoren 112-102 ndaj Hjustonit. Kalifornianët kryesojnë 2-1 ndaj teksanëve në gjysmëfinale të plej ofit në Perëndim.

Lebroni shënoi 36 pikë, 7 topa në tabela, 5 asistë dhe 4 bllokime gjuajtjesh duke qenë faktori vendimtar i fitores. Jo se ishte vetëm, pasi Entoni Dejvis pati 26 pikë e 15 topa në tabela, veçse në minutat e fundit fitorja u sigurua nga Rejxhën Rondo. Veterani shënoi 11 pikë (nga 21 gjithsej) dhe asistoi 12 të tjera nga 30 pikët e fundit që shënuan Lejkërsat. Xhejmsi kaloi ish-lojtarin e Lejkërsave, Derek Fisher, si basketbollisti me më shumë fitore në plej of, 162 ndaj 161.

Tek Hjustoni dy lojtarët kryesorë luajtën shumë mirë, edhe pse gabuan më shumë se duhet në gjuajtje. Xhejms Harden shënoi 33 pikë, pati 9 topa në tabela e 9 asiste, ndërsa Rasëll Uestbruk ishte me 30 pikë, 8 topa në tabela e 6 asistë, ndonëse luan me pozicion të ndryshuar.

Sfidanti.al