Lebron Xhejms nuk njihet në NBA vetëm si mbreti i basketbollit, por edhe si djali i shkëlqyer në parket. Kurrë në karrierën e tij, ylli i Klivlendit nuk kishte provuar përjashtim nga loja për faulla teknikë, por më në fund kjo ndodhi. U deshën 1082 ndeshje si profesionist në ligën amerikane të basketbollit, që atij t’i tregohej “dera”, dhe ndoshta kjo në vetvete mund të jetë një rekord. Kishin mbetur 2 minuta nga pjesa e tretë kur Xhejms ndjeu se ndaj tij u bë një ndërhyrje e gabuar nga dy lojtarë të Majemit, por që gjyqtari nuk e dha. Ai vrapoi drejt arbitrit Ficxherald, duke bërtitur me të madhe, por si përgjigje mori dy faulla teknikë dhe përjashtimin.
Gjithnjë ka një herë të parë në jetë, dhe kështu ndodhi edhe për Lebron Xhejmsin. Sidoqoftë, Klivlendi fitoi ndaj Majemit me shifrat 108-97, duke arritur fitoren e 9-të radhazi. Kevin Lov ishte më i miri me 38 pikë, ndërsa shumë mirë luajti edhe Duejn Uejd. Pritet të kthehet edhe Tompson nga dëmtimi dhe Kavaliersi besohet se do të jetë vërtet pretendent për titull. Për momentin, është në vend të tretë në Lindje, jo shumë larg nga kryesuesi Boston. Lebron, ndërkaq, është shënuesi i dytë më i mirë i sezonit me 571 pikë, pas liderit Xhejms Harden që ka 633.
Sfidanti.al