Kupa e Botës për klubet, një lojë interesash dhe pushteti

FIFA është menduar gjatë për Kupën e re të Botës për Klubet. Kupola e re e saj, e udhëhequr nga presidenti Xhani Infantino, kërkon të krijojë një turne spektakolar dhe të “vrasë disa zogj me një gur”. Formati i kompeticionit që do të nisë në 2021, do të jetë një Botëror klubet shumë më i ngjashëm me Botërorin e kombëtareve, që do të organizohet një herë në 4 vjet, do të luhet në qershor, dhe do të ketë pjesëmarrje më të gjerë, me 24 skuadra.

Në këtë kupë do të marrin pjesë katër fituesit e Championsit (2018-2021) katër finalistët, si dhe katër skuadra të tjera me koeficientin më të mirë. Nga Amerika e Jugut pritet të jenë 4 fituesit e fundit të Kupës Libertadores si dhe një skuadër tjetër me koeficientin më të mirë. Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut do të kenë nga dy përfaqësues, ndërsa Oqeania do të ketë vetëm një ekip. Gjithsej, pra i bie që të jetë një Botëror klubesh me 24 skuadra.

Përse kjo ide e FIFA-s? Së pari, për të shpëtuar Kupën e Botës për klubet e cila me formatin e tanishëm është një dështim, me shumë pak shikueshmëri në televizion dhe në stadiume. Biletat janë të shtrenjta në Japoni, ndërsa publiku shikon nga ekrani ndeshjet e ligave të mëdha europiane që luhen edhe ato në dhjetor, kur është edhe kompeticioni. Për këtë arsye, Kupa e re e Botës për klube do të luhet në verë, kur ligat europiane janë pushim.

Për më tepër, është edhe një lojë pushteti. Ndeshjet e verës të Kupës Ndërkombëtare të Kampionëve (International Champions Cup) po rezultojnë një sukses i madh, me skuadrat më të mëdha të Europës (Real, Barcelona, Bajern, Man. Junajtid, Man. Siti etj.) që tërheqin rreth 100 000 tifozë në stadiume në SHBA. FIFA nuk dëshiron që futbolli i klubeve t’i dalë nga dora, ndaj edhe do t’u ofrojë atyre formatin e ri, me më shumë përfitime dhe famë.

Sfidanti.al