Kupa e Botës apo Kupa e racizmit, edhe tek femrat nuk mund të ketë qetësi!

Luhet nga femrat, por entuziazmi i afrohet turneut të meshkujve. Tifozë të shumtë në rrugët e qyteteve franceze për Kupën e Botës të vajzave, e cila po i ngjan asaj tradicionales të burrave, edhe për tensionet dhe polemikat. Një kulm u arrit në duelin e të tetave të finaleve mes Anglisë e Kamerunit, fituar 3-0 nga skuadra europiane.

Rezultati ishte i thellë dhe diferenca e qartë, por disa vendime të VAR-it nuk u pritën mirë nga vajzat kamerunase. Sidomos, protesta ishte e ashpër në rastin e golit të dytë anglez, fillimisht të anuluar nga gjyqtarja kineze Çin Lan, dhe pastaj të cilësuar si të rregullt nga teknologjia. Acarimi ishte aq i madh saqë afrikanet nuk deshën të vazhdonin lojën, duke rrezikuar të krijonin një skandal të madh.

U desh ndërhyrja e trajnerit Alen Gjeumfa, që ato të ktheheshin në fushë. Po ashtu, kamerunaset u ankuan disa herë gjatë ndeshjes duke thënë se “kjo është një Kupë Bote e të bardhëve”. Ndeshja ishte e ashpër, dhe anglezet u ankuan për disa ndërhyrje të ashpra të kundërshtareve, si dhe u treguan të pakënaqura me atë që e quajtën tolerim nga ana e gjyqtares kineze.

Pas ndeshjes, edhe trajneri i Anglisë, Fil Nevil, nuk mundi të mos protestonte. “Nuk m’u duk se po luhej një ndeshje futbolli, – tha Nevil, – ndershmërisht, nuk ishte ndeshja e duhur për Kupën e Botës, përsa i përket sjelljes. Ishte diçka që u ndoq nga gjithë bota. As unë nuk u kënaqa, dhe as lojtaret e mia. Nëse futbollistet e mia do të ishin sjellë si kamerunaset, ato nuk do të kishin pasur më vend në kombëtare”.

Këto deklarata të tij u kritikuan edhe në Angli, pasi analistët u shprehën se Nevil tregoi mungesën e tij të përvojës. Trajneri i Kamerunit, ndërkaq, akuzoi edhe ai duke deklaruar se gjyqtaret donin që të fitonte Anglia.

Një atmosferë aspak e mirë, ndonëse ndeshja në stadiumin e Valensienës u ndodh nga mbi 20 000 spektatorë, dhe pati një nivel shumë të mirë. Anglia fitoi me golat e shënuar nga Hauton, Uajt e Grinud, ndërsa në çerekfinale luan ndaj Norvegjisë, në 27 qershor.

Sfidanti.al