Kumbulla “ngre shëndet” për mbylljen e sezonit me fitoren e Ligës së Konferencës

Mbyllja ishte mjaft e bukur, aq sa më mirë nuk mund të ndodhte. Marash Kumbulla, vërtet nuk luajti dot, por gjithsesi pati kontributin e tij të rëndësishëm që Roma fitoi Ligën e Konferencës në edicionin e saj të parë, dhe mbrojtësi shqiptar hedh sytë menjëherë nga sezoni i ardhshëm. Mbrojtësi i Shqipërisë shkruajti një përshëndetje në Instagram me rastin e përfundimit të vitit futbollistik, që u mbyll me ndeshjet e kombëtares. “Sezoni im u mbyll, – shkruajti 21-vjeçari, – një titull i fituar me Romën, objektivi për në plej ofin e Botërorit nuk u arrit vetëm për pak me kombëtaren. Synimi mbetet i njëjti, të rritemi dhe të shkojmë sa më lart me Romën dhe me Shqipërinë”.

E vërteta është që ky 2021-2022 nuk ishte aspak i lehtë për qendërmbrojtësin kuqezi, madje më i vështirë dhe me më pak minutazh sesa ai i kaluari. Trajneri Zhoze Murinjo deshi kohë që të bindej, dhe sërish nuk po e aktivizon shpesh titullar, por gjithsesi ka ndryshuar mendim dhe ka vlerësim shumë më të lartë për shqiptarin. Për momentin, Kumbulla është i Romës, ndonëse do ta donte një mundësi që të luante sa më shumë. Torino e kërkon gjithashtu në Serinë A, aty ku është ish-trajneri i tij, Juriç, dhe mediat shkruajnë se ka edhe interesim nga të tjerë klube të elitës së futbollit italian. Sidoqoftë, sfida tek Roma mund të vazhdojë, me pjesëmarrjen në Ligën e Europës, dhe me synimin për të arritur Championsin.

Sfidanti.al