Ku po shkon Arsenal? E mund Këlni që s’ka fitore në Bundesligë!

Fundjava ishte e shkëlqyer për tifozët e Arsenalit, pasi të adhuruarit e tyre fituan njërin nga derbet më të mëdhenj të Londrës, atë ndaj Totenhemit. Edhe Liga e Europës ka qenë shumë e mirë deri tani, me skuadrën të kualifikuar për në turin e dytë, por gjithsesi ata nuk prisnin që “topçinjtë” të mbeteshin kaq pa “gjyle” në ndeshjen e parafundit në kontinent.

Disfata e pësuar në fushën e Këlnit ishte krejt e paimagjinueshme, jo sepse skuadra gjermane është kaq e panjohur, përkundrazi, por sepse ajo po jeton ditët më të zeza të historisë së saj. Ish-kampionia e Gjermanisë, dhe ish-finaliste e kupave të Europës, nuk ka fituar asnjë ndeshje në Bundesligë këtë sezon, por kjo nuk e pengoi që të fitonte penallti kur sapo kishte kaluar një orë lojë, dhe të shënonte golin e vetëm, nga pika e bardhë, me të njëjtin lojtar, Sehru Guirasi.

Anglezët mbetën shumë të zhgënjyer, por gjithsesi, humbja ishte pa “zarar”, aq më tepër që forcat duhen ruajtur për në Premier Ligë. Këlni, ndërkaq, i dha shans vetes që të sigurojë kualifikimin, edhe pse do ta ketë të vështirë. Gjermanët kanë 6 pikë, po aq sa Crvena Zvezda që barazoi në Bjellorusi me BATE-n e Borisovit, por ndeshjen e fundit Këlni do ta luajë pikërisht në Beograd.

Sfidanti.al