Kthehet Rafael Nadal, “Mbreti i Dheut të Kuq” në tenis!

Prej 3 vjetësh ishte “fshirë nga defterët” e tenisit botëror. Rafael Nadal dalë nga dalë po kthehej në një “ish”, edhe pse mbetej një legjendë, veçse spanjolli nuk ishte dakord me këtë parashikim të “horoskopit”. Pasi arriti finalen e parë të Grand Slemeve që nga viti 2014, dhe e humbi në Australian Open ndaj Federerit, 30-vjeçari duket më pranë se kurrë një tjetër triumfi të madh. Me formën që po tregon në Turneun e Madridit, Nadal besohet se mund ta fitojë përsëri Çmimin e tij të Madh të preferuar, atë të “Rolan Garosit”.

Në Madrid, mposhti bindshëm në gjysmëfinalen rivalin e madh, Novak Gjokoviç, edhe pse serbi prej disa kohësh nuk është më ai i pari. Rezultati ishte 6-2 e 6-4 dhe Nadal u kënaq nga niveli shumë i lartë që tregoi. “E dija se me Nolen mund të humbisja edhe duke luajtur mirë, ndaj duhej nivel edhe më i lartë, – tha ai, – kjo do të përcaktojë edhe favoritin në “Rolan Garos”, do të jetë i tillë ai që do të luajë më mirë”. Rafa ka dy javë kohë për t’u përgatitur derisa të vijë Parisi.

Spanjolli shpreson që të shtojë një tjetër Grand Slem në karrierë, dhe madje edhe më shumë. Ai është 30 vjeç dhe mosha e lejon të jetë ambicioz edhe për disa vite. Me 14 Çmime të Mëdha dhe me dy tituj olimpikë, Nadal është vërtet i madh, ndonëse ai dëshiron më shumë sukses në turne të tillë si Australian Open apo Uimbëlldon.

Sfidanti.al