Kosovare Asllani tek Milani, edhe Ibrahimoviçi e femrave vishet kuqezi!

Në futbollin e femrave njihet me emrin e kësaj legjende. Zllatan Ibrahimoviç e ka sozinë e tij në topkëmbën për vajza, dhe tashmë do ta ketë edhe në të njëjtin klub. Kosovare Asllani, pas largimit nga Reali i Madridit, ka vendosur të bashkohet me Milanin. Shqiptarja me origjinë nga Kosova, e lindur në Suedi dhe me nënshtetësi suedeze, do të bashkohet me ekipin kuqezi të femrave, pas një karriere të gjatë e të suksesshme. Sulmuesja 32-vjeçare ka luajtur disa vjet në Suedi, pastaj për Paris SG, Mançester Sitin, si dhe për 3 sezone me Realin, ndërsa ka përvojë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me Ibrahimoviçin ajo që qenë së bashku tek Paris SG, kur të dy suedezët luanin në kryeqytetin e Francës, njëri me djemtë dhe tjetra me vajzat. Milani i femrave, i drejtuar nga ish-sulmuesi kuqezi Mauricio Ganz, doli në vend të tretë në Serinë A sezonin e fundit, dhe me Asllanin do të synojë titullin, ose të paktën të sigurojë vendin në Champions, ku këtë vit do të jenë Juventusi e Roma. Në karriëerë, 32-vjeçarja ka fituar 8 trofe në Suedi dhe Angli, dhe shpreson ta bëjë këtë edhe në Itali. Asllani ka përvojë të madhe edhe me ekipin përfaqësues të Suedisë, për të cilin ka luajtur plot 160 ndeshje dhe ka shënuar 43 gola.

Sfidanti.al