Për vendet e tjera të botës nuk është problem, por Europa e ka të tillë. Mbrojtja e të drejtave të homoseksualëve është një kauzë për kontinentin e vjetër, dhe ndryshe nga shumë kapitenë të ekipeve pjesëmarrëse në Europë, liderët e skuadrave europiane po luftojnë deri në fund për të mbajtur në krah shiritin simbolik me ngjyrat e ylberit. Harri Kejn i Anglisë, Manuel Nojer i Gjermanisë, Garet Bejl i Uellsit, Kristian Eriksen apo Virgil Van Dajk i Holandës kanë këmbëngulur.
Gjithsesi, Federata Angleze dhe ajo Uellsiane ranë dakord që kapitenët e tyre të mos i mbajnë shiritat në mbrojtje të të drejtave të homoseksualëve, në ndeshjet e sotme. FIFA ndalon simbolet politike dhe ideologjike dhe ka paralajmëruar se kush shkel rregullat merr karton të verdhë dhe gjobitet. Anglezi Kejn deklaroi dje se ia kishte bërë të qartë FIFA-s se dëshironte ta mbante shiritin, ashtu siç ka deklarue dhe Bejli i Uellsit. Një dëshirë të tillë e shprehu edhe kapiteni i Danimarkës, Kristian Eriksen, që deklaroi se skuadra e tij do ta sfidonte urdhërin e FIFA-s. Për momentin, Manuel Nojeri i Gjermanisë duket i palëkundur.
“Së pari, dua të them se ne kurrë nuk kemi pasur një përvojë të tillë, – tha ai, – i gjithë ky turne është një eksperiment. Edhe ekipe të tjera të Europës do ta mbajnë shiritin, dhe është mirë që ta bëjmë së bashku”. Mendim të ndryshëm ka shprehur ditë më parë kapiteni i Francës, Hugo Joris. “Kur ne jemi në Francë, dhe mirëpresim të huajt, ne shpesh u kërkojmë atyre që të respektojnë rregullat tona, kulturë tonë, dhe unë do të bëj të njëjtën gjë në Katar”, – tha portieri.
Organizatorët e Kupës së Botës në Katar janë shprehur se homoseksualët janë të mirëpritur në Botëror, bashkë me flamujt e tyre, ndonëse duhet të respektojnë kulturën vendase. Gjithsesi, panorama nuk do të ishte e plotë nëse nuk do të flitej për radikalizimin e situatës në Europë lidhur me traditat myslimane. Gjykata e Bashkimit Europian e ka cilësuar të ligjshëm dhe të drejtë ndalimin nga ana e punëdhënësve që të punësuarit të mbajnë ferexhe në vendin e punës.
Sfidanti.al