Koman rrezikon rekordet e Gigsit, Gentos, Skoullsit, Pirrit e Mesit!

Heronjtë e mëdhenj ende janë të tjerë, por ai mund t’i arrijë. Futbollistët me më shumë tituj kampion në histori janë emra të tillë si Rajan Gigs që ia doli 13 herë me Mançester Junajtidin, Pol Skoulls me 12, legjenda spanjolle Fransisko Gento po me 12 me Realin e Madridit, Hoze Martinez Pirri me 10 gjithashtu po me Realin, apo edhe Lionel Mesi që mund të arrijë në 11 këtë sezon me Barcelonën.

Gjithsesi, një djalosh francez që luan në Bavari nuk është aspak larg. Kingsli Koman, talenti i rrufeshëm që tifozët shqiptarë e njohin më shumë prej golit që i shënoi kombëtares në Paris, në duelin ndaj Francës në eleminatoret e Europianit të fundit, sapo e fitoi edhe ligën e tij numër 8. Kur kujtojmë se po flasim për një 24-vjeçar, atëherë e kuptojmë më mirë se çfarë arritjeje e jashtëzakonshme është kjo e Komanit.

Ai e nisi karrierën me Paris SG në vendin e tij të lindjes, madje në qytetin e lindjes. Pasi shkëlqeu për ekipet e moshave deri në U19, u bë pjesë e ekipit të parë të PSG-së që në 2012, kur ishte 16 vjeç, duke fituar dy tituj kampion në Francë, në 2013 e 2014. Erdhi transferimi tek Juventusi, ku ai nisi të aktivizohej më shpesh. Shënoi golin e parë si profesionist në 15 janar 2015, në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Parmës, fituar 6-1 nga juventinët, dhe fitoi titullin kampion po në 2015 me “Zonjën e Vjetër”.

U huazua tek Bajerni i Mynihut, dhe për dy vjet luajti në një formë të tillë, duke u shpallur dy herë kampion, në 2016 e 2017. Në moshën 21-vjeçare bindi drejtuesit bavarezë që t’i jepnin kontratë dhe t’i blinin kartonin nga Juventusi, duke mos i zhgënjyer. Koman vlerësohet si një lojtar tepër i talentuar, dhe këmbëngulës. Ai ka fituar edhe çmimin si më i shpejti futbollist i Bundesligës, diçka thelbësore për rolin e tij në krah.

Me fanelën e Bajernit, francezi nuk u ndal, por vazhdoi sukseset me titujt e viteve 2018 e 2019, ndërsa pret që ta ngrejë “pjatën” e kampionatit gjerman edhe këtë sezon. Ai përballoi dëmtimin dhe u kthye nga riaftësimi në nivelet e tij të larta të zakonshme, duke dhënë një kontribut të madh në triumfin e 8-të radhazi në Bundesligë të skuadrës së drejtuar nga trajneri Hansi Flik.

Sfidanti.al