Në Angli thonë “çfarë mund të kishte qenë”, pas fitores së Sitit!

Arsenali, dakord, nuk është njësia e duhur matëse, padyshim ekipi londinez i ditëve të sotme. Prej 10 vjetësh, “topçinjtë” janë në rënie thuajse të lirë, dhe se ku kanë arritur e tregoi kapitullimi pa kushte në fushën e kampiones në fuqi të Anglisë, Mançester Sitit, me shifrat 0-3. E gjithë frika e Pep Guardiolës për dëmtime e lodhje, sikur u fshi me një dorë, ndërsa Fil Foden, Kevin De Brujn e Rahim Stërling shënuan golat në fitoren me “pesë yje”.

Mediat britanike shkruajtën pas ndeshjes se “çfarë do të kishte ndodhur këtë sezon, nëse Siti do të kishte luajtur gjithnjë me këtë nivel”, duke nënkuptuar se do të kishte pasur shumë më tepër konkurrencë me Liverpulin, dhe jo një diferencë prej 22 pikësh. Kaq është largësia pas 29 javësh të luajtura, me të kuqtë që kanë 82 pikë, dhe “qytetarët” të dytët me 60.

Liverpuli do të ishte shpallur kampion me një fitore të shtunën në fushën e Evertonit, por vetëm nëse Siti do të ishte mundur. As që bëhej fjalë, pasi edhe me gjendjen jo të mirë fizike, Siti nuk e pati problem Arsenalin. Vendasit u ndihmuan pa masë nga David Luiz, madje u shkruajt në media se ishte “hatrik” i brazilianit, që ishte fajtor në dy prej golave, dhe u përjashtua me karton të kuq.

Sfidanti.al