Kolinda, një president në tribunën e tifozëve për Kroacinë!

Nuk ishte përjetim me fund të bukur, por gjithsesi ajo e kishte bërë zgjedhjen e saj. Presidentja në largim e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, preu një biletë të zakonshme dhe e ndoqi në tribunën e thjeshtë të tifozëve finalen e Kampionatit Europian të hendbollit për meshkuj mes kombëtares së vendit të saj dhe Spanjës. Ndeshja u luajt në Sallën e Stokholmit, në kryeqytetin e Suedisë, dhe padyshim edhe tribuna e tifozëve të thjeshtë ishte shumë e mirë. Për fatin e saj të keq, Kroacia humbi me dy gola, 20-22 ndaj Spanjës, duke mos fituar dot medaljen e vetme të artë që i mungonte, atë europiane. Më herët, kroatët kanë dalë kampionë bote dhe kampionë olimpikë, por kishin 10 vjet pa mbërritur në finale. Kolinda, ndërkaq, mbetet edhe fare pak ditë në detyrë, pasi do të zëvendësohet nga pasardhësi i saj socialdemokrat.

Sfidanti.al