Kesie, Azpilikueta, Kristensen, Rafinja e ndoshta Haland, sa shumë “trafik” tek Barça!

“Më mirë syri se nami”. Kështu thotë populli, ndërsa kur vjen puna tek transferimet në futboll, më shumë ka “tym” sesa “zjarr”. Kjo është normale, sepse bëhen shumë plane, shumë bisedime për të arritur deri tek lojtari që do, apo që ke mundësi për të marrë. Tek Barcelona është disi më ndryshe, sepse mjaft nga emrat e përfolur flitet se do të jenë sezonin e ardhshëm pjesë e skuadrës. Të tillë janë Frank Kesie, Sezar Azpilikueta, Andreas Kristensen, Rafinja, Pablo Torre e ndoshta Haland. Vetë trajneri Ksavi Hernandez ka folur direkt me disa prej tyre, bashkë me ekipin e punës të përbërë nga drejtuesit sportivë Mateu Alemani e Zhordi Krujf, si dhe presidenti Zhoan Laporta. Kesie jepet i mbaruar, Kristensen po ashtu, Azpilikueta thuhet se do të vijë, dhe me sulmuesin Rafinja të Lidsit (që duhet të zëvendësojë Dembelenë) ka bisedime në fazë të përparuar. Ku do t’i mbajë Barcelona gjithë këta lojtarë? Ku do t’i gjejë paratë për t’i paguar, sepse nuk ka siguri që Dembele, Kutinjo apo Grizman do të kenë blerës për të qenë për kartonat e tyre.

Sfidanti.al