Nga fronti në ring, Oleksandr Usik synon të mbrojë titujt në qershor!

Për momentin ka shkuar në vendin e tij, në Ukrainë, ku është angazhuar në mbrojtjen territoriale. Oleksandr Usik mendon se kjo është detyra ndaj atdheut, edhe pse ai është kampioni në fuqi i peshave të rënda në boksin profesionist. Usiku shkaktoi një të papritur të madhe shtatorin e kaluar kur mundi britanikun Entoni Xhoshua në stadiumin e Totenhemit në Londër, për të marrë brezat e artë të federatave WBA, IBF, WBO dhe IBO. Ukrainasi ka më shumë breza sesa kampioni tjetër i peshave të rënda, britaniku Tajson Fjuri. Ndeshja mes Usikut dhe Xhoshuas mund të zhvillohet në qershor të këtij viti, ndoshta në “Uembli” ose sërish në stadiumin e Totenhemit në Londër. Autoritetet ukrainase kanë lejuar një përjashtim për kampionin e botës, ndërsa të gjithë meshkujt nga 18 deri në 60 vjeç nuk lejohet të largohen nga vendi, sepse mund të shërbejnë në ushtri.

Sfidanti.al