Në përfundim të ndeshjes Portugali-Lituani, për eleminatoret e Europianit, ai u rrethua nga tifozët që donin foto me të. Kristiano Ronaldo sapo kishte shënuar 3 gola me fanelën “luzitane” dhe të gjitha historitë me shqetësime dhe “teori konspirative” që vinin nga Torino, ishin harruar. Me këtë “trimëri”, CR7-ta vazhdoi garën me Lionel Mesin, pasi ka 55 tregolësha në karrierë, ndaj 54 të argjentinasit të lavdishëm. Po ashtu, ai arriti në 98 rrjeta me Portugalinë, pra shumë pranë shifrës 100.
Vetëm Ali Daei i Iranit ka arritur të shënojë më shumë se 100 me kombëtaren, dhe Ronaldo do të ishte i dyti. Portugalia fitoi 6-0 ndaj Lituanisë, ndonëse ndodhet në vendin e dytë në grupin eleminator, me vetëm 1 pikë më shumë sesa Serbia. Përsa i përket Kristianos, njeriu nuk di kë të besojë, fjalët e Mauricio Sarrit të Juventusit që thoshte se ylli ishte paksa i dëmtuar, apo atë që ndoqi në fushën e lojës, ku portugezi nuk shfaqi asnjë problem, madje shënoi edhe 3 herë, gjysmën e golave të kombëtares.
Sfidanti.al